Kryeministri Kurti lidh mosndërmarrjen e masave fiskale me suksesin zgjedhor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është hera e parë që qeverisë së tij i kërkohet heqja e TVSH-së apo akcizës pas rritjes së çmimit të naftës. Ai theksoi se, pavarësisht mosndërmarrjes së këtyre veprimeve, partia e tij ka fituar një mbështetje më të madhe në zgjedhje.

Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti kritikoi mungesën e deputetëve të opozitës, duke u shprehur: “Në këtë seancë, nuk jeni as 1/3 e deputetëve sa i ka Kuvendi, nuk jeni as 40 prej 120, edhe unë jam me një ministre, por besoj që edhe ashtu e keni vërejtur, ndonëse janë më pak, prap janë më shumë se ju.”

Më tej, Kurti refuzoi këshillat e opozitës, duke i drejtuar atyre fjalët: “Më tej, ju thatë që po më jepni këshilla, tash këtu janë dy probleme, problem i parë është se kur thatë që po më jepni këshilla, ju tashmë jeni të gatshëm që këshilla mund të mos merret në konsideratë për t’u zbatuar, sepse është veçse këshillë. Unë nuk ju kam juve këshilltare, unë këshilltarët i kam të tjerë.”

Ai e përsëriti argumentin e tij se qeveria nuk ka ndërmarrë veprime të tilla, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme: “Nuk është hera e parë që e kërkoni këtë gjë prej qeverisë sonë, jam kryeministër për herë të tretë, gjithmonë keni kërkuar herë hiqe akcizën, herë TVSH-në, nuk e kom bo asnjërën, kom fitu veç ma shumë, a po kuptoni.”

Në përfundim, Kurti theksoi se populli nuk e mbështet atë që këshillon opozita, dhe se ai përfaqëson një politikë tjetër.