Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e gjashtë personave nën dyshimin e ushtrimit të dhunës ndaj forcave të rendit gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë.
Tre persona të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa dy janë shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se gjatë kontrolleve, shtetasve me inicialet L. K. dhe A. Sh. u janë sekuestruar bomba molotovi.
Në njoftimin e saj, policia thekson se: “Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.”
Të arrestuarit dyshohen për një sërë veprash penale, duke përfshirë: “Vrasja e punonjësit të Policisë” e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
