Kurti: Humbja e Arsim Zekollit ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, do të na mungojnë tekstet e tij

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe intelektualit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arsim Zekolli. Kurti e ka cilësuar këtë humbje si një goditje që tejkalon rrethin familjar dhe prek thellë jetën publike e shoqërore të kombit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti njoftoi se lajmin e hidhur për vdekjen e Zekollit e kishte marrë gjatë qëndrimit në Vjenë. Një ditë më parë, ai kishte vizituar familjen e të ndjerit në Bllacë të Suharekës për të shprehur ngushëllimet.

Kurti theksoi ndjenjën e thellë të humbjes, duke shkruar: “Isha në Vjenë kur mora lajmin e trishtë se Arsim Zekolli ka vdekur. Dje vizituam familjen e tij në Bllacë të Suharekës për ngushëllime dhe ende nuk më besohet që nuk do ta shohim e dëgjojmë më. I kam mbresat e pashlyeshme nga një njeri me dije të gjerë që mendonte e rimendonte rishtas dhe thellë teksa fliste.”

Kryeministri vlerësoi lart kontributin intelektual dhe publik të Zekollit, duke theksuar se largimi i tij lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqëri. Ai shtoi se humbja e një figure si Zekolli ndikon përtej rrethit të ngushtë: “Kur një punëtor i inteligjencës politike qytetare dhe i ndjeshmërisë së lartë kulturore si Arsim Zekolli largohet nga kjo botë, humbja nuk mbetet vetëm brenda familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve. Ajo ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, aty ku fjala, mendimi dhe guximi lënë gjurmë.”

Sipas Kurtit, pikëllimi për ndarjen nga jeta të Zekollit do të mbetet gjatë, ndërsa vlerësoi veçanërisht mendimin e tij kritik dhe pavarësinë intelektuale. Ai theksoi se do të mungojnë thellësia dhe guximi i shkrimeve të tij: “Do të na mungojnë tekstet e tij, sepse nuk zëvendësohen lehtësisht qëmtimet dhe përsiatjet e tij. Arsimi shkruante sepse mendonte dhe mendonte sepse të menduarit ishte tipari i tij kryesor. Ishte prej atyre njerëzve që mendimin nuk e përdorte për t’u rehatuar. Shqyrtimi i tij shqetësonte atë vetë dhe të tjerët. Kur shkruante, nuk e bënte për të ndjekur opinionin, por për ta sfiduar atë. Fjala e tij kishte peshën e karakterit të pavarur.”

Në fund, Kurti shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta, në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për familjen Zekolli, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën, e lexuan dhe e vlerësuan. “U prehtë në paqe!”, përfundoi ai.