**Kurti i kërkon von der Leyen statusin “kandidat” për Kosovën në BE**

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku temë qendrore ishte avancimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Në konferencën për shtyp pas takimit, Kurti theksoi kontrastin mes Kosovës, e cila mbetet një demokraci, dhe tendencave autokratike që vërehen në proceset elektorale rajonale. Lidhur me proceset zgjedhore, ai u shpreh se zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet dhe jo dy herë brenda një viti.

“Ne mbrojmë vlerat e nenit 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE qëndron ndër më të lartat në rajon, duke u renditur menjëherë pas Shqipërisë,” citoi Kurti. Ai shtoi se agjenda e reformave në kuadër të Planit të Rritjes po zbatohet, duke theksuar se Kosova ishte ndër vendet e para që e dorëzoi planin, dhe se, edhe pse zbatimi ka marrë më shumë kohë se parashikuar, çdo reformë do të përmbushet.

Gjatë takimit me von der Leyen, Kryeministri Kurti bëri të ditur se ka kërkuar avancimin e pozitës së Kosovës në proceset integruese evropiane. Kjo përfshin anëtarësimin në EFTA dhe në organizata të tjera evropiane, si dhe përfshirjen në marrëveshjen evropiane për standardet e akreditimit.

Kërkesa kryesore e Kurtit ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim që të hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim të plotë.