**Qeveria Kurti Ndan 2 Milionë Euro për Mbështetjen e Fluturimeve të Diasporës**
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, gjatë së cilës ka miratuar ndarjen e dy milionë eurove nga buxheti i shtetit. Këto mjete janë destinuar për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, me qëllim mbështetjen e linjave ajrore që shërbejnë diasporën tonë. Kështu bëhet e ditur përmes një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit (ZKM).
Po ashtu, gjatë kësaj mbledhjeje, janë ndarë fonde buxhetore për disa subjekte me qëllim promovimin e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, si në vijim:
* Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, janë ndarë 8,000.00 euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shangai, Kinë.
* Qendrës “Kosova Global Talent Center” i janë caktuar 70,876.79 euro për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të zhvillohet në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në korrik 2026.
* Ndërsa Shoqatës së Kimistëve të Kosovës i janë caktuar 3,500 euro (tre mijë e pesëqind euro) për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e paraparë të mbahet nga 10 deri më 19 korrik 2026 në Tashkent, Uzbekistan.
Në këtë mbledhje është aprovuar edhe lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
