**Kurti uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë, kujton mbështetjen e saj për shqiptarët**

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, duke shënuar kështu 250-vjetorin e themelimit të shtetit amerikan. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar rëndësinë historike të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së dhe lidhjet e forta mes parimeve amerikane dhe luftës së shqiptarëve për vetëvendosje.

Kurti rikujtoi se më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive britanike nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë në Filadelfia, duke shpallur lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi rëndësinë e parimeve të Deklaratës, si barazia e të gjithë njerëzve dhe të drejtat e patjetërsueshme për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë, të cilat, sipas tij, kanë frymëzuar “patriotët e çdo epoke dhe çdo populli”.

Kryeministri bëri një lidhje historike me popullin shqiptar, duke përmendur takimin e Fan Nolit me Presidentin Woodrow Wilson më 4 korrik 1918, në 142-vjetorin e pavarësisë amerikane. Noli, si përfaqësues i federatës shqiptare “Vatra”, i kishte kërkuar Wilsonit që zbatimi i parimeve të tij të vetëvendosjes do të garatonte të drejtat e Shqipërisë. Presidenti Wilson, sipas Kurtit, e siguroi Nolin se ato parime do të mbizotëronin. Kryeministri theksoi se ajo që ne shqiptarët e quajmë Shqipëria londineze shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore edhe falë parimeve të mishëruara në planin e paqes të njohur si “14 pikat e Wilsonit”.

Më pak se një shekull më pas, të njëjtave parime, të mbrojtura nga Deklarata e Pavarësisë, do t’i apelonte edhe lëvizja për pavarësinë e Kosovës. Kurti theksoi se e drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje mori mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai citoi deklaratën e Presidentit George W. Bush në Tiranë, më 10 qershor 2007: “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” duke e cilësuar këtë si një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese. Sipas Kurtit, brenda një harku kohor prej gati një shekulli, nga Shqipëria londineze te Kosova e pavarur, betejat shqiptare për vetëvendosje morën dy herë mbështetje kritike nga kombi amerikan.

Kryeministri nënvizoi se teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, i nënshkruar më 4 korrik 1776 dhe i shkruar kryesisht nga Thomas Jefferson, u bë simbol i një epoke të re në historinë e mendimit politik. Koncepti i të drejtave të patjetërsueshme, të cilat etërit themelues nënkuptonin se nuk mund të tjetërsoheshin as me pëlqimin e bartësit të tyre, vazhdon të mbetet thelbësor. Garantimi i këtyre të drejtave për të gjithë njerëzit pa dallim mbetet një detyrë qytetëruese, theksoi kryeministri.

Në fund të postimit të tij, Kurti uroi: “Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”