Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media pas ndërprerjes së seancës së konstituimit të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka deklaruar se çdo përpjekje për konstituimin e Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për çështjen e presidentit do të çonte drejt një situate të re politike dhe mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje paraprakisht për çështjen e presidentit do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Dhënia e mundësisë për dialog politik për të arritur marrëveshje është e vetmja mënyrë për konstituimin e institucioneve tona”, ka thënë Kurti.
Ai ka kërkuar kohë shtesë për diskutime ndërmjet partive politike, duke theksuar se institucionet duhet të formohen vetëm pasi të arrihet një dakordim për pozitën e presidentit.
“Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutim dhe vetëm atëherë kur të kemi arritur dakordime për çështjen e presidentit të konstituohen institucionet. Herën e kaluar e pamë që pa gjetur zgjidhje për presidentin pati vështirësi”, është shprehur ai.
Kurti ka bërë të ditur se është i gatshëm të vazhdojë komunikimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa u ka bërë thirrje për takim edhe liderëve të partive të tjera.
“I bëj thirrje kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinit, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të takohemi dhe të bisedojmë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, nëse kryetari i Kuvendit dhe qeveria janë përgjegjësi e shumicës parlamentare, çështja e presidentit duhet të trajtohet si përgjegjësi më e gjerë politike.
“Presidenti është përgjegjësi edhe e AAK-së edhe e LDK-së”, ka theksuar Kurti.

