Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është më e sigurt se kurrë dhe se institucionet e sigurisë kanë dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave ndër vite. Kështu raporton Ekonomia Online.

Këto deklarata, Kurti i bëri pas homazheve pranë memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së heroit Enver Zymberi.

Kurti theksoi se dita kishte nisur me homazhe në varrin e Adem Demaçit, simbolit të rezistencës dhe një figure të rëndësishme evropiane, të cilit i shënohet sot tetëvjetori i ndarjes nga jeta, pasi kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Këto homazhe i zhvilloi bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes, zonjën Albulena Haxhiu.

Më pas, ai, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe kolegë të tjerë nga ekzekutivi dhe Policia e Kosovës, u drejtuan te memoriali i policëve të rënë, për t’i nderuar ata.

Dita e sotme shënon 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, mbronte integritetin territorial dhe garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë, pa dallim. Dora kriminale e strukturave të Serbisë e qëlloi atë për vdekje.

Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Rënia e tij frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë.

Përveç vrasjeve të Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë edhe më 5 nëntor 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën kolektivisht nga veriu i Ibrit, me urdhër të Beogradit.

“Megjithatë, qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua karakteri shumetnik i Policisë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional, siç synonin ata,” përfundoi Kurti.