**Qeveria zotohet për mbi 30 milionë euro investime në 14 parqe industriale, nis ndërtimi i atij në Mitrovicë**

Qeveria e Kosovës ka nisur punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, një projekt për të cilin do të investohen rreth 1 milion euro. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se në tri vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 30 milionë euro investime për gjithsej 14 parqe industriale në mbarë vendin, raporton Ekonomia Online.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit, Kurti theksoi se investimi në Parkun Industrial të Frashërit është pjesë e përkrahjes për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim. Ai e cilësoi këtë investim si “shpagim të një pjese të vogël të borxhit të madh” ndaj Mitrovicës, qytetit që ka dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin dhe kulturën e Kosovës dhe kombit shqiptar.

Kurti bëri të ditur se parku në Frashër, me një investim prej afër 1 milion euro, do të ofrojë hapësira për bizneset vendore dhe ndërkombëtare, duke synuar rritjen e prodhimtarisë dhe punësimit. Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është modernizimi i infrastrukturës për bizneset prodhuese dhe rritja e eksporteve, me synim përmirësimin e bilancit tregtar dhe progresin socio-ekonomik. Punimet për infrastrukturën bazike në Frashër tashmë kanë nisur.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, theksoi se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar. Ajo sqaroi se do të mbështeten kompani prodhuese në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe ato që kontribuojnë në ekonominë e pastër, për të pozicionuar Kosovën si një vend me produkte cilësore.

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, premtoi krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët dhe bizneset, duke përfshirë mundësitë infrastrukturore dhe ndarjen e parcelave. Ai theksoi ambicien e komunës, me mbështetjen e qeverisë, për t’u transformuar në një qytet të zhvilluar, si në të kaluarën.

Ceremonia e inaugurimit të punimeve dhe vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.