Kurti ngushëllon familjet e viktimave pas aksidentit fatal me tre viktima

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjet e tre personave që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti shkroi: “Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit për humbjen tragjike të më të dashurve të tyre.”

Kryeministri Kurti shpërndau gjithashtu reagimin e ambasadorit të Kosovës në Shkup, Florian Qehaja. Ambasadori Qehaja bëri të ditur se Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe me Policinë e Kosovës. Po ashtu, ambasada ka mbajtur kontakt me familjarët e viktimave, duke ofruar ndihmën e nevojshme për menaxhimin e rastit.

Ai theksoi se, pas përfundimit të procedurave nga autoritetet përkatëse, trupat e pajetë pritet të transportohen në Kosovë.

Në mesazhin e tij, ambasadori Qehaja shkroi: “U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të tyre. Në këto çaste të rënda ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe.”