Kryeministri Albin Kurti nuk ka bërë asnjë reagim publik lidhur me përfundimin e mandatit të presidentes Vjosa Osmani sot. Presidentja Osmani i dorëzoi detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një ceremoni të mbajtur në Presidencë.

Megjithatë, Kurti nuk hezitoi t’i dërgonte urimet e tij kryeministrit të sapozgjedhur të Nepalit, Balen Shah, me rastin e nisjes së mandatit të ri.

Në një postim në platformën X, ai i uroi suksese Balen Shah-ut, duke theksuar pritshmërinë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Nepalit.

“Urime Balen Shah për zgjedhjen tuaj si Kryeministër i Nepalit. Ju uroj shumë suksese në avancimin e progresit, stabilitetit dhe mirëqenies për vendin tuaj. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe institucioneve tona, si dhe ndërtimin e një partneriteti konstruktiv ndërmjet popullit të Kosovës dhe Nepalit”, shkroi Kurti.

Osmani e përfundoi sot mandatin e saj pesëvjeçar në krye të shtetit. Ajo ishte emëruar presidente pas një marrëveshjeje politike me Kurtin pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku ata garuan në një listë të përbashkët. Ndonëse Osmani kishte shprehur ambicie për të vazhduar edhe një mandat tjetër, ajo nuk u kandidua nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend.