Kurti takon admiralin Wikoff të NATO-s, bisedojnë për sigurinë dhe bashkëpunimin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Itali. Gjatë takimit, dy zyrtarët diskutuan situatën e sigurisë në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Kurti përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook. Ai theksoi se ky ishte takimi i dytë mes tyre, pas atij të janarit, dhe se admirali Wikoff ishte shoqëruar edhe nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Në postimin e tij, Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkushtimin e NATO-s në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Ai theksoi gjithashtu kontributin e vazhdueshëm të aleancës për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën e Kosovës dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.