Shqipëria ka hyrë në një valë të nxehti që pritet të kulmojë me temperatura deri në 40 gradë Celsius. Sipas meteorologes Tanja Porja, kjo është vetëm dita e parë e një periudhe dhjetëditore me mot të nxehtë dhe pa reshje në të gjithë vendin.
Porja theksoi në A2CNN se rritja e menjëhershme e temperaturave ka qenë e ndjeshme. “Sot presim 38°C, një rritje me të paktën 4 gradë krahasuar me dje, ku maksimumi arriti në 33°C,” u shpreh ajo. Përveç diellit dominues, vranësira do të jetë e pranishme vetëm gjatë orëve të pasdites, kryesisht në veri dhe lindje, ndërsa era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare.
Meteorologia paralajmëroi se vala e të nxehtit do të intensifikohet dita-ditës. “Për të gjithë periudhën dhjetëditore në vijim, priten vetëm temperatura të larta në të gjithë territorin, me mundësinë për reshje praktikisht zero. Nga nesër dhe në vijim do të shohim vetëm rritje të temperaturave. Shumë shpejt, këtë mesjavë, presim që termometri të arrijë deri në 40 gradë Celsius,” përfundoi Porja.
