Kurti takon delegacionin e “America250”, diskutohet bashkëpunimi në energji, mbrojtje e siguri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim një delegacion të iniciativës “America250”, një projekt dypartiak i themeluar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mesin e anëtarëve të delegacionit ishin personalitete si Daniel Serwer dhe Edward Joseph.
Takimi, i zhvilluar në Zyrën e Kryeministrit, u fokusua te bashkëpunimi i mundshëm mes Kosovës dhe ShBA-së, veçanërisht në fushat e energjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në politikën e jashtme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti theksoi se delegacioni përbëhej nga personalitete të shquara nga akademia, politika, ushtria dhe fusha të tjera, si nga Kosova ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë bisedimeve, të cilat ai i cilësoi si “të ngrohta dhe të sinqerta”, u trajtua progresi i jashtëzakonshëm i Kosovës gjatë viteve të fundit. U shqyrtuan gjithashtu mënyrat për zhvillimin e mëtejshëm të vendit përmes bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm.
Kryeministri Kurti përshëndeti edhe Ditën e Pavarësisë së ShBA-së, duke vënë në pah rëndësinë e 250 vjetorit të saj. Ai vlerësoi se dy shekuj e gjysmë nga shpallja e pavarësisë amerikane kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm për mbarë botën.
