Kryeministri Kurti prezanton reformën thelbësore në shëndetësi: Mjek familjar për të gjithë, kontrolle falas dhe sigurime shëndetësore universale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur sot një plan ambicioz për transformimin e plotë të shëndetësisë publike në vend. Ky program synon të garantojë qasje universale në shërbime cilësore, duke filluar nga mjeku familjar, kontrollet parandaluese falas, deri te funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore dhe investime të mëdha në infrastrukturë e burime njerëzore.
Sipas planit, çdo qytetar do të ketë një mjek familjar dhe do të përfshihet në regjistrin e kujdesit parësor shëndetësor. Gjithashtu, do të nisë një program i gjerë i kontrollit shëndetësor të përgjithshëm (check-up) për të gjithë, me fokus në kontrollet e rregullta parandaluese dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje.
Qeveria do të rrisë mbështetjen për nënat dhe fëmijët deri në moshën 6-vjeçare, duke ofruar kontrolle dhe shërbime të specializuara zhvillimore. Për parandalimin e sëmundjeve kronike, do të investohet në aktivitete sportive dhe rekreative përmes programit “Lëvizim për Shëndet”. Një sistem i avancuar do të ndërtohet për kontrollin dhe forcimin e sigurisë ushqimore në Kosovë.
Një tjetër element kyç është funksionalizimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore, i cili do të vihet në punë pas përfundimit të sistemit informativ shëndetësor, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt universalizimit të shërbimeve. Për herë të parë, do të fillojë lista e barnave të kompensueshme, ndërsa buxheti për barna esenciale do të rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 100 milionë euro.
Reforma parashikon edhe decentralizimin e shërbimeve specialistike, me investime të shtuara në spitalet rajonale, veçanërisht në aparatura të rezonancës magnetike dhe shërbimet e dializës. Do të ndërtohen spitale të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, ndërsa çdo spital publik do të pajiset me aparaturë CT. Për të forcuar burimet njerëzore, Qeveria do të investojë në trajnimin profesional, specializimet dhe hulumtimin shkencor në fushën e shëndetësisë.
Gjithashtu, do të ndërtohen poliklinika specialistike në Drenas, Sharr, Podujevë, Viti, Rahovec dhe Leposaviq, si dhe poliklinika stomatologjike publike në tetë qytete të Kosovës. Një rrjet i laboratorëve publikë do të ngrihet, duke ofruar analiza të avancuara me çmime të përballueshme për qytetarët.
Në mbështetje të industrisë vendore, programi i Qeverisë “1 miliard euro për prodhuesit” do të përdoret për të nxitur industrinë farmaceutike dhe prodhimin e barnave në Kosovë, me synim zvogëlimin e varësisë nga importi.
