Kurti shpreh urimin për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së pas vendimit të Gjykatës Speciale

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, theksoi se Kosova pret vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin. Lajmin e raporton Ekonomia Online.

Kurti deklaroi se lufta dhe rezistenca e popullit të Kosovës kanë qenë të drejta dhe çlirimtare. Ai shprehu shpresën që edhe vendimi i Gjykatës Speciale të jetë në përputhje me këtë të vërtetë historike, duke uruar kthimin e lirë të ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

“Pas dy ditësh, mbarë Kosova pret vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin. Për ne, gjithçka është e qartë: rezistenca dhe lufta e popullit të Kosovës kanë qenë të drejta, çlirimtare dhe kundër një pushtuesi që kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë dhe urojmë që edhe vendimi i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë, dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve,” theksoi kryeministri.