Pas largimit të Bernardo Silvës, i cili gjatë verës u transferua te Real Madridi, te Manchester City ka nisur kërkimi për kapitenin e ri.

Trajneri i ri i “Qytetarëve”, Enzo Maresca, i ka të paktën katër kandidatë në listën e tij: Rodri, i cili mund të largohet drejt Barcelonës, Ruben Dias, Phil Foden dhe Erling Haaland.

Ndryshe nga Pep Guardiola, i cili ia linte skuadrës vendimin për zgjedhjen e kapitenit, trajneri italian do ta marrë vetë këtë vendim, shkruan “Gazeta Express”.

Maresca e ka me vete një rregull që e ka përdorur edhe gjatë aventurave të tij te Leicester City dhe te Chelsea.

“Si te Leicesteri, ashtu edhe te Chelsea, e kisha një rregull. Kur e shënonim një gol, kapiteni duhej të vinte në stol, jo për të festuar, por për të marrë udhëzime. Nëse kapiteni shënon vetë, atëherë është normale që të festojë”, ka shpjeguar Maresca.

Ky rregull e vështirëson dukshëm mundësinë që shiriti i kapitenit t’i besohet Haalandit, duke e marrë parasysh numrin e madh të golave që i shënon sulmuesi norvegjez.

“Po të jetë Erling kapiten, dreqin, atëherë mund ta kemi një problem”, ka thënë me humor Maresca.

Sipas mediave britanike, favorit për ta marrë shiritin e kapitenit është Ruben Dias.

Megjithatë, në ndeshjen ndaj Arsenalit në Community Shield, shiriti mund t’i besohet Phil Fodenit.

Anglezi është lojtari që ka më shumë vite te Manchester City dhe tashmë e ka shprehur dëshirën për të marrë më shumë përgjegjësi në skuadër.

Përfundimisht, vendimi për kapitenin e ri do të merret nga Maresca, ndërsa Haaland duket se është në disavantazh për shkak të një arsyeje mjaft të veçantë: shënon shumë gola. /Gazeta Express