Tre persona, Fiknete Bejta, Yll Bogaj dhe Driton Bardheci, dyshohet se kanë shkelur ligjin dhe procedurat administrative duke mbajtur mbledhje të jashtëligjshme dhe duke uzurpuar zyrën e sekretares në Stacionin e Autobusëve të Prishtinës. Këto veprime vijnë pas një vendimi kontrovers të Asamblesë Komunale për ndryshimin e aksionarëve në këtë ndërmarrje publike, e cila është një nga të paktat që operon pa humbje në kryeqytet.
Pak ditë më parë, Asambleja Komunale e Prishtinës futi në rend dite, pa paralajmërim, çështjen e zëvendësimit të aksionarëve në Stacionin e Autobusëve. Aksionarët aktualë kundërshtuan vendimin, duke paraqitur ankesë zyrtare në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me pretendime për shkelje të ligjshmërisë dhe procedurave të shkarkimit në Asamble.
Pa pritur afatin ligjor 30-ditor, Bejta, Bogaj dhe Bardheci uzurpuan zyrën e sekretares së Stacionit të Autobusëve, Bedrije Mjekut, për të mbajtur një mbledhje të dyshuar si të jashtëligjshme. Ata mbyllën derën e zyrës së sekretares Mjeku dhe zhvilluan me ngut një mbledhje, duke lënë kryeshefin e ndërmarrjes, i cili i priste për takim në zyrën e tij, në dhomën e pritjes.
Po atë ditë, Bejta, Bogaj dhe Bardheci thirrën edhe një mbledhje tjetër urgjente, gjatë së cilës shkarkuan bordin e ndërmarrjes, duke vepruar pa asnjë kompetencë ligjore.
Për këtë ngjarje, Policia e Kosovës u njoftua dhe ishte në vendngjarje, duke pritur tre personat e dyshuar për uzurpim të zyrës së sekretares.
Bordi aktual i Stacionit të Autobusëve, i përbërë nga Shaban Brahimaj (kryesues), Fadil Arifi, Elona Bajgora dhe Nora Cukaj-Rexhaj, mbajti sot një konferencë për media. Gjatë kësaj konference, ata prezantuan shkeljet dhe sjelljet flagrante të ligjit, të kryera nga personat e lartpërmendur.
