Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një grupi punues me fokus bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë procedurave të apelit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë, si nga aspekti juridik, ashtu edhe moral. Ai theksoi se vendimi përmban pasaktësi faktike dhe historike, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një strategjie shtetërore dhe kombëtare për procesin e apelit.

“Aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsiderojmë të padrejtë juridikisht dhe moralisht, me pasaktësi faktike dhe historike, prandaj edhe punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e apelit. Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi se grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë e parlamentarë. “Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet të cilat i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare,” përfundoi Kryeministri.