Personi që shihni në foto është i riu Albiano Kreçi, i cili humbi jetën tragjikisht pasditen e sotme në Gjirin e Ksamilit, pas një përplasjeje të rëndë mes mjetit lundrues që drejtonte dhe një skafi të Policisë Kufitare të Sarandës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30 dhe tronditi banorët e zonës, si edhe pushuesit që ndodheshin në bregdet në ato momente. Sipas të dhënave paraprake, i riu po lundronte me një mjet tip “jet car”, një mjet argëtues që ngjan me automjet, por lëviz mbi ujë.

Nga informacionet e bëra publike deri tani, dyshohet se përplasja ka ndodhur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej rreth 400 metra larg vijës bregdetare në kuadër të monitorimit të hapësirës detare.

Menjëherë pas aksidentit, efektivët e Policisë Kufitare dhe persona të tjerë që ndodheshin me mjete lundruese pranë zonës kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë të riut. Albiano Kreçi u nxor nga uji dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.