LDK-ja thërret diasporën të regjistrohet për votim, afati i fundit 17 maj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve nga diaspora të përfundojnë sa më parë procesin e regjistrimit për votim, duke rikujtuar se afati zyrtar përfundon më 17 maj.

Në një njoftim të publikuar nga LDK-ja, theksohet se të gjithë qytetarët që kanë paqartësi ose hasin vështirësi gjatë procesit të aplikimit, mund të kërkojnë ndihmë nga personat përgjegjës në degët e partisë në mërgatë.

Partia ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së diasporës në proceset demokratike në Kosovë, duke inkurajuar bashkatdhetarët të mos e humbasin afatin për regjistrim.

“Prandaj, të gjithë ju që keni paqartësi rreth regjistrimit për të votuar, mund t’i kontaktoni personat tanë përgjegjës në degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mërgatë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora është një ndër fazat kryesore para zgjedhjeve. Ndërkohë, institucionet dhe subjektet politike vazhdojnë thirrjet për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës.