**LDK i bën thirrje Vjosës për bashkim: “Mirë se erdhe në shtëpi”**

Një ditë pas organizimit të “Tubimit të Bashkimit”, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar një mesazh politik ku thekson rëndësinë e bashkimit dhe rikthimit brenda partisë, duke e cilësuar këtë moment si një “kthim në shtëpi”.

Mesazhi thekson se kjo shtëpi politike ka formuar të dy palët, duke u mësuar atyre dashurinë për Kosovën mbi gjithçka dhe duke ruajtur besimin te Republika edhe në kohëra të vështira. Ajo shton se kjo ‘shtëpi’ sot i fton sërish të dy.

“Kjo është shtëpia politike që na ka formuar të dyve. Shtëpia që na ka mësuar ta duam Kosovën para vetes. Shtëpia që, edhe në ditët më të vështira, nuk e humbi kurrë besimin tek Republika. Kjo shtëpi sot na thërret të dyve”, thuhet në mesazhin e LDK-së.

Mesazhi kulmon me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Vjosa Osmanit, duke e cilësuar bashkimin si “kthim në shtëpi”.

“Yjet politike na kanë sjellë sërish në një vend. Në të njëjtin vend ku ndihemi të dy mirë! Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të krijuar një lidhje të qëndrueshme, një periudhë ku do t’i referohemi pas shumë vitesh, si një kujtim i mirë për familjen tonë politike. Prandaj sonte, le ta kuptojmë se ky nuk është vetëm një bashkim politik. Ky është kthim në shtëpi. Mirë se erdhe, Vjosë, në shtëpi”, përfundon mesazhi.