Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të mblidhet sot në orën 16:00, me pikë kryesore të rendit të ditës rikthimin e Fatmir Limajt në parti dhe përfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë.

Kjo mbledhje vjen pas letrës që Fatmir Limaj i dërgoi të premten kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përmes së cilës kërkonte përfshirjen e tij pa kushte në listën për deputetë.

Kërkesa ka gjetur reagime pozitive brenda strukturave të PDK-së. Gjithashtu, një pjesë e madhe e elektoratit dhe zyrtarëve të lartë të partisë thuhet se mbështesin rikthimin e Limajt në “shtëpinë e vjetër”.

Para mbledhjes, anëtarët e kryesisë kanë marrë mesazhe të shumta nga baza elektorale besnike e PDK-së, duke kërkuar me ngulm rikthimin e Limajt në parti.

Vendimi përfundimtar pritet të merret sot pasdite. Lajmi është transmetuar nga IndeksOnline.