Një kirurg 72-vjeçar është arrestuar në Korçë, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare. Ngjarja, e cila ka shkaktuar zemërim, vjen pas kallëzimit të vajzës dhe dëshmisë së babait të saj, i cili thekson se “nuk e fal” mjekun.
Kirurgu Nikolla Nunka, 72 vjeç, u arrestua nga Policia e Korçës pas denoncimit të pacientes. Vajza, 21 vjeçe, ishte shtruar në spitalin e qytetit për shkak të dhimbjeve të barkut dhe të vjellave, për të cilat iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për apandesit. Sipas dëshmisë së saj, mjeku kirurg e kishte ngacmuar seksualisht duke e prekur në zona intime nën pretekstin e kryerjes së kontrolleve mjekësore.
Pas marrjes së kallëzimit nga vajza, e cila ende ndodhet e shtruar në spital, Policia e Korçës ka shoqëruar dhe më pas ka arrestuar mjekun Nunka.
Lidhur me ngjarjen ka folur edhe babai i 21-vjeçares, i cili ka rrëfyer zhvillimet e katër ditëve të fundit. Ai tregon se kishte ardhur me pushime nga Gjermania dhe prej dy javësh vajza ankohej për dhimbje stomaku dhe të vjella. Pasi i kishte marrë ilaçe nga farmacia, por ato nuk kishin dhënë rezultat, nëna e vajzës e dërgoi atë në spital. Aty, mjeku Nikolla Nunka dhe mjeku i skanerit fillimisht kishin thënë se nuk kishte asgjë serioze dhe duhej të prisnin rezultatet e analizave deri në mesnatë.
Pas daljes së analizave, mjeku Nunka kishte komunikuar se vajza kishte apandesit dhe se duhej një operacion urgjent. Vajza ishte pyetur nëse kishte ngrënë, dhe pasi ajo konfirmoi, ndërhyrja kirurgjikale u shty për në mëngjes. Të nesërmen, operacioni u krye dhe në orën 15:00 ajo u zhvendos në dhomë. Familjarëve iu komunikua se vajza kishte infeksion dhe se duhej mjekuar me kremra, një propozim që babai e kishte pranuar. Babai tregon se gjatë këtyre ditëve, mjeku Nunka e merrte vajzën në dhomë për mjekim, ndërsa i kërkonte nënës të largohej, duke i thënë: “Kthehu mbrapa”.
Familjarët nuk kishin dyshuar për veprime të pandershme, pasi mjeku ishte në moshë të madhe dhe gëzonte statusin e një kirurgu. Por pas katër ditësh, vajza kishte propozuar që mund ta vendoste kremin edhe vetë. Dje, mjeku kishte shkuar sërish në dhomën e saj dhe kishte kryer veprime të papërshtatshme, duke tentuar edhe ta puthte.
Në atë moment, vajza kishte shpërthyer, duke i rrëfyer babait gjithçka. Ajo kishte shpjeguar se nuk kishte folur më parë për të mos shkaktuar probleme, por durimi i kishte sosur. Menjëherë pas rrëfimit të vajzës, babai kishte lajmëruar policinë. Duke parë mjekun Nunka që po largohej me ambulancë, ai e kishte ndaluar dhe i kishte komunikuar: “Je për t’u arrestuar”. Ai e kishte zbritur nga makina dhe kishte pritur ardhjen e forcave të policisë, të cilat i morën në pyetje.
Babai kërkon me ngulm drejtësi për vajzën. “Nëse nuk gjendet drejtësia për të, do ta gjej vetë. Nuk e fal. I pata besim, e pashë si doktor të vjetër. Por ai paskësh qenë një kriminel i fshehur në spital”, shprehet ai i indinjuar, sipas raportimeve të Ora News.
