**Serbia financon veteranët e “Beretave të Kuqe”, të dënuar për krime lufte dhe vrasje politike**
Qeveria e Serbisë financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të “Beretave të Kuqe” – një organizatë që mbledh ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror. Disa prej pjesëtarëve të kësaj njësie kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidimin e kundërshtarëve politikë.
Sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (RFE/RL), vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë, kësaj shoqate i janë ndarë 23 000 euro në dy vjetët e fundit.
Shoqata e Veteranëve të “Beretave të Kuqe” ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski. Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe është bërë pjesë e pushtetit në Serbi në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e asaj kohe.
Ministria e Punës nuk iu përgjigj pyetjeve të RFE/RL se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik për financimin e projekteve të Shoqatës së Veteranëve të “Beretave të Kuqe” me para të buxhetit. Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të “Beretave të Kuqe”.
“Kur e merr një njësi të tillë dhe prej saj nxjerr heronj, ndërkohë që dihet ‘rruga e saj e luftës’, njeriu duhet ta pyesë veten se çfarë vlerash promovon ky pushtet”, thotë për RFE/RL Filip Shvarm, kryeredaktor i së përjavshmes serbe “Vreme” dhe autor i një dokumentari për Njësinë për Operacione Speciale.
**Kush ishin “Beretat e Kuqe”?**
Njësia për Operacione Speciale, e njohur më mirë si “Beretat e Kuqe”, u themelua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i drejtuar nga Jovica Stanishiq – një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Krahu i tij i djathtë ishte Franko Simatoviq. Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë, në vitin 1992.
Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Në atë kohë, Simatoviq e emëroi Millorad Ulemekun, i njohur si Legija, komandant të saj. Njësia u shpërbë në vitin 2003 gjatë operacionit policor “Sablja”. Disa prej pjesëtarëve të saj janë dënuar për vrasje politike – përfshirë vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003; vrasjen e ish-presidentit të Presidencës së Serbisë, Ivan Stambolliq, në gusht të vitit 2000; vrasjen e katër zyrtarëve të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO) në tetor 1999; si dhe tentim-vrasjen e liderit të SPO-së, Vuk Drashkoviq, në Budva në vitin 2000.
**Çfarë financon Ministria?**
Shoqata e Veteranëve të “Beretave të Kuqe” është themeluar në vitin 2019. Të dhënat publike tregojnë se të ardhurat e para i ka pasur në vitin 2021, rreth 4 800 euro, ndërsa shumën më të madhe, 29 000 euro, e ka realizuar në vitin 2024. Nga Ministria e Punës, shoqata ka përfituar nga 11 500 euro në vit gjatë 2024 dhe 2025, për një total prej 23 000 eurosh. Burimet e tjera të të ardhurave nuk janë publikuar.
Ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, miratoi financimin për shoqatën me qëllim organizimin e “Turneut Gjithëpërfshirës të Veteranëve”, si dhe për realizimin e projekteve “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” dhe “Betimi i lirisë”. Turneu Gjithëpërfshirës i Veteranëve është një garë sportive vjetore, por për dy projektet e tjera, të financuara me 10 000 euro, nuk ka informacione publike se çfarë përfshijnë saktësisht, nëse janë realizuar dhe kur janë zbatuar. Raportet për realizimin e tyre nuk janë publikuar as në dokumentacionin e konkurseve të Ministrisë. Në fund të vitit 2022, shoqata ngriti një përmendore për ish-pjesëtarin e “Beretave të Kuqe”, Nikolla Simiq, në Beograd.
**Kush është kreu i shoqatës?**
Përfaqësues ligjor i Shoqatës së “Beretave të Kuqe” është Zhivorad Zhika Ivanoviq, ish-anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale. Në një video të majit 1997, ai shihet duke i raportuar presidentit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviqit, në një ceremoni të themelimit të Njësisë. Edhe pse emri i tij u përmend në gjyqin e Stanishiqit dhe Simatoviqit në Hagë, kundër Ivanoviqit nuk u zhvillua asnjë procedurë ligjore.
Ivanoviq ishte për herë të fundit në qendër të vëmendjes publike në mars të vitit 2025, kur udhëhoqi veteranët e Njësisë për Operacione Speciale në një kamp në Parkun e Pionierëve në Beograd, ku për më shumë se një vit u mblodhën mbështetës të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, përfshirë disa persona me dosje kriminale. “Është veçanërisht pervers fakti që ata u shfaqën aty disa ditë para përvjetorit të vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq”, thotë Shvarm.
Përveç Zhika Ivanoviqit, në Parkun e Pionierëve ishte i pranishëm edhe ish-komandanti i Xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, të cilin Shtetet e Bashkuara e lidhin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, pas luftës në Kosovë, në vitin 1999. Partia në pushtet në Serbi deklaroi se nuk sheh asnjë problem nga prania e tyre në tubimet mbështetëse për presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë aktuale. Veteranët e Njësisë për Operacione Speciale janë bërë pjesëmarrës të rregullt edhe në manifestime të organizuara nga partia në pushtet. Në dhjetor të vitit 2025, ata ishin mysafirë të Ministrisë së Punës dhe u fotografuan me ministren Gjurgjeviq Stamenkovski. Ish-ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, gjithashtu vizitoi stendën e shoqatës në një panair në shkurt të vitit 2024.
Me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Njësisë, më 4 maj, Vasillije Mijoviq i shprehu mirënjohje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se me ardhjen e tij në pushtet, “njësisë i është rikthyer lavdia”. “Gjithmonë llogarisni në ne, që ta udhëhiqni atdheun tonë edhe për një kohë të gjatë. Prej kohësh, Serbia nuk ka pasur një udhëheqës të tillë, vizionar”, tha Mijoviq, duke shtuar se “kolegjiumi ka vendosur t’i japë presidentit pseudonimin ‘Aleksandri i Madh’”. Shvarm e vlerëson këtë si “një mesazh i drejtuar drejt pjesës më të fortë nacionaliste të elektoratit të Partisë Përparimtare Serbe”. Mijoviq, ish-funksionar i policisë sekrete të Malit të Zi dhe pjesëtar i formacioneve paraushtarake, është përmendur në Tribunalin e Hagës si pjesëmarrës në veprime çnjerëzore ndaj civilëve dhe aktivitete kriminale, megjithatë nuk është gjykuar për rolin e tij në luftë.
