Tahiri paralajmëron Vetëvendosjen për marrëveshjet ndërkombëtare: “Të jetë hera e fundit” pa informacione paraprake
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka adresuar kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me procedurën e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar nevojën për informacione paraprake dhe kohë për shqyrtim.
Tahiri theksoi se “kjo le të jetë hera e fundit” që Lëvizja Vetëvendosje dërgon në Kuvend marrëveshje të tilla pa ndjekur procedurat e duhura.
Ai bëri të qartë se AAK-ja mbështet miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Megjithatë, Tahiri e quajti “plotësisht të palogjikshme” sjelljen e këtyre marrëveshjeve në Kuvend në atë formë dhe masë, kur ato kërkojnë kohë për lexim dhe shqyrtim.
Duke përsëritur se “kjo le të jetë hera e fundit”, ai paralajmëroi se AAK-ja nuk do të pranojë asnjë kërkesë tjetër nëse paraprakisht nuk merr një informacion të plotë nga shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Tahiri nënvizoi se nuk është e vështirë të dërgohet një mesazh apo një kërkesë në zyrë për të komunikuar qëndrimin e tyre.
