Nagavci: Lëvizja Vetëvendosje gati të kontribuojë në rezolutën për mbrojtjen e viktimave të luftës

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se subjekti politik që ajo përfaqëson është i gatshëm të japë kontributin e tij në hartimin e një rezolute për mbrojtjen e viktimave të luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Kjo deklaratë vjen pas një sërë pasaktësish që u shfaqën në ekspozitën e hapur më 24 mars në sheshin e Prishtinës, e cila u mbyll vetëm pak ditë më vonë.

“Siç e diskutuam edhe në takimin e Kryesisë, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kontribuojë në një rezolutë që do të trajtonte në thelb, nga një perspektivë shumëdimensionale, çështjet që lidhen me luftën e fundit. Në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm të delegojmë deputetët tanë, të cilët, së bashku me deputetët e grupeve të tjera parlamentare, do të hartojnë një rezolutë që i adreson këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Nagavci. Ajo shtoi se pret që deri në fund të ditës të dorëzohet një draft për miratim në Kuvend.