Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar një afat shtesë për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke kundërshtuar shtimin e tyre në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar, siç ishte propozuar nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, theksoi se, megjithëse partia e tij mbështet parimisht marrëveshjet ndërkombëtare, mënyra se si po tentohet të futen ato në votim përbën një shkelje procedurale.
Mustafa shpjegoi se Komisioni për Buxhet ishte ftuar të martën për një takim të mërkurën, me qëllim që marrëveshjet t’i shtoheshin rendit të ditës së Kuvendit menjëherë të enjten. Kjo afatizim i ngushtë, sipas tij, nuk u jep mundësi të mjaftueshme deputetëve për analizë të thelluar.
“Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet marrëveshjet ndërkombëtare, kemi një rast të veçantë. Kërkojmë afat shtesë që të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së të kenë kohë që t’i analizojnë dhe të arrijnë tek një qëndrim i përbashkët. Prandaj, ne nuk i përkrahim përfshirjen e tyre në rendin e ditës me këtë procedurë,” deklaroi Mustafa.
Kërkesa e LDK-së vjen në momentin kur seanca plenare e Kuvendit sapo kishte nisur, dhe Nagavci propozoi shtimin e disa pikave të reja në rend dite, përfshirë edhe këto marrëveshje ndërkombëtare.
