**Çitaku ngulmon për rezolutën si pikë të parë, i drejtohet Haxhiut: Nuk bëjmë kompromis**
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar me ngulm që draft-rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës së fundit në vend, të jetë pika e parë në rend dite për seancën e sotme parlamentare dhe të hidhet në votim.
Duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila më herët kishte përmendur diskutimet mes grupeve parlamentare, Çitaku theksoi se janë të gatshëm të takohen, por jo të bëjnë kompromis.
Ajo nënvizoi se kjo pikë është më e rëndësishme se çdo marrëveshje ndërkombëtare.
“Kryetare, grupet parlamentare, të gjithë deputetët, e kanë pranuar tekstin e rezolutës dje; ka pasur kohë të mjaftueshme që grupet të japin vërejtjet e tyre. Megjithatë, ne jemi të gatshëm që të ulemi bashkë sepse për ne, dhe për secilin deputet, nuk ka asnjë çështje tjetër më të rëndësishme se trajtimi i kësaj rezolute dhe votimi i saj unanim,” deklaroi Çitaku.
Ajo vazhdoi: “Jemi të gatshëm të takohemi, por nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromis. Kryetare, ua dhamë votat për marrëveshjet ndërkombëtare, por kjo rezolutë, në mbrojtje të së vërtetës historike dhe viktimave, është më e rëndësishme se çdo marrëveshje ndërkombëtare. Ju lutem kryetare, nuk kemi punë tjetër, mund të rrimë këtu edhe 5 orë, ta përmbyllim sot dhe ta përmbyllim si pikën e parë të rendit të ditës. Kjo është kërkesa jonë.”
