Sulmuesi i krahut i Milanit dhe Portugalisë, Rafael Leão, tashmë e ka zbuluar lëvizjen e tij të ëndrrave në Premierligë, pasi praktikisht konfirmoi largimin e tij nga “Rossonerët”.

Leão, 26 vjeç, është lidhur vazhdimisht me një largim nga Milani në vitet e fundit, me raportime që sugjerojnë se Arsenali, Chelsea, Manchester Unitedi, Liverpooli, Bayern Munichu dhe Barcelona janë të impresionuar nga talenti i tij.

Anësori portugez ka regjistruar 80 gola dhe 65 asistime në 291 paraqitje për Milanin, me 10 gola të shënuar sezonin e kaluar, teksa italianët përfunduan të pestët në Serie A dhe, si pasojë, humbën kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e dytë radhazi, gjë që çoi në shkarkimin e Massimo Allegrit.

Trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, konsiderohet favorit për të marrë vendin vakant në veri të Italisë, por ai mund të mos ketë mundësinë të punojë me Leãon.

Duke folur për mediat portugeze, 26-vjeçari deklaroi se është gati për një transferim.

“Jam krenar që kam bërë histori te Milani, por dua një kapitull të ri. Ndihem gati të luaj në një kampionat tjetër. Dhashë maksimumin për Milanin, por ka ardhur koha të provoj një sfidë tjetër”, tha ai.

Sipas “Football365”, Manchester Unitedi është informuar për disponueshmërinë e lojtarit, ndërsa Michael Carricku dëshiron të forcojë cilësinë dhe thellësinë e skuadrës përpara një sezoni të ngarkuar, ku ekipi do të garojë në katër fronte – FA Cup, Carabao Cup, Premierligë dhe Ligën e Kampionëve.

Carricku dhe departamenti i futbollit të Unitedit synojnë të transferojnë dy mesfushorë, një anësor të majtë, një mbrojtës të majtë, si dhe potencialisht një sulmues dhe një qendërmbrojtës.

Merkatoja e Manchester Unitedit në verën e vitit 2025 u konsiderua kryesisht e suksesshme, me Matheus Cunhan, Bryan Mbeumon, Senne Lammensin dhe Benjamin Šeškon që kontribuuan në përfundimin e ekipit në vendin e tretë në Premierligë.

Leão ka shprehur më parë admirimin e tij për klubin, duke treguar se e ndiqte kur ishte fëmijë.

“Po, sigurisht që më pëlqen Manchester Unitedi sepse idhulli im është Cristiano Ronaldo, kështu që atëherë i shikoja ndeshjet e tyre,” tha ai.

“Më pëlqen edhe Arsenali”, shtoi ai.

Nëse do t’i bashkohej Unitedit, ai do të konkurronte me Cunhan dhe Patrick Dorgun për një vend titullari në krahun e majtë.

Leão, i cili ka kontratë me Milanin deri në verën e vitit 2028, raportohet se vlerësohet rreth 43 milionë funte.

Reprezentuesi portugez ka luajtur më parë përkrah Bruno Fernandes dhe Diogo Dalot te Portugalia.

Unitedi vazhdon gjithashtu të lidhet me mesfushorin e Atalantës, Ederson, me raportime që sugjerojnë se një marrëveshje prej 38 milionë funtesh është afër.

Duke folur në vitin 2023, Leão diskutoi mundësinë e luajtjes në Premierligë.

Ai i tha “Gaffer”: “Mendoj se çdo lojtar dëshiron të luajë në Premierligë sepse është një kampionat shumë konkurrues. Ka futboll tërheqës, skuadra të mëdha dhe një audiencë mbarëbotërore. Serie A aktualisht është shumë mirë e pozicionuar në botën e futbollit, por në të ardhmen do të thosha patjetër Premierligë”.

Leão vazhdoi: “Sa i përket futbollit, qëllimi im është të fitoj Ligën e Kampionëve dhe Topin e Artë. Si artist, personalisht nuk mendoj shumë për këtë; thjesht e lë gjithçka të rrjedhë natyrshëm”./GazetaExpress/