Agjentët e sulmuesit të Atletico Madridit, Julián Álvarez, pritet të udhëtojnë drejt Barcelonës gjatë kësaj jave për të hartuar një strategji të përbashkët me klubin katalanas për realizimin e transferimit.
Barcelona vazhdon të jetë e vendosur për ta transferuar Álvarezin, por Atletico Madridi mbetet i palëkundur dhe ka mbyllur derën për çdo negociatë.
Sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, 26-vjeçari ka qenë objektivi kryesor i Barcelonës prej disa muajsh, jo vetëm për të përforcuar repartin ofensiv, por edhe si transferimi më i rëndësishëm strategjik i klubit.
Megjithatë, refuzimi kategorik i Atletico Madridit për të negociuar ka bllokuar çdo përparim në këtë operacion.
Raportohet se përfaqësuesit e futbollistit do të mbërrijnë në Barcelonë gjatë kësaj jave për të diskutuar me drejtuesit e klubit katalanas mënyrën më të mirë për ta zhbllokuar marrëveshjen.
Të dyja palët synojnë të bien dakord për një plan të përbashkët që do t’i japë shtysë negociatave, dhe pikërisht për këtë arsye agjentët e reprezentuesit argjentinas do të zhvillojnë takime në kryeqytetin katalanas.
Barcelona dëshiron gjithashtu që Álvarez të shkojë një hap më tej me deklaratat e tij publike. Gjatë Kupës së Botës, sulmuesi kishte kërkuar nga Atletico Madridi ta lejonte të largohej për të ndjekur ëndrrën e tij.
Tashmë klubi katalanas pret që ai ta bëjë të qartë publikisht se dëshira e tij është të transferohet te Barcelona.
Nëse kjo ndodh, Barça është e gatshme ta rrisë ofertën nga 100 milionë euro në 115 milionë euro për të bindur Atletico Madridin.
Ndërkohë, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, në përfundim të kampit stërvitor të skuadrës në Angli të hënën, shprehu mbështetjen për punën që po bën drejtori sportiv Deco në merkato.
Flick theksoi gjithashtu se është i vetëdijshëm se Barcelona duhet të bëjë një tjetër përforcim në repartin ofensiv përpara fillimit të sezonit të ri.
