**Limaj: Kosova po humbet energji në tema të parëndësishme, duhet fokusuar te zhvillimi ekonomik**
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka vlerësuar ngecjet e Kosovës në disa reforma, siç theksohet në Raportin e Progresit të publikuar në fillim të muajit.
Limaj deklaroi se Kosova po përballet me probleme të theksuara ekonomike dhe sociale, ndërsa, sipas tij, shumë energji po shpenzohet për çështje që nuk kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Ai theksoi se pas zgjidhjes së çështjeve aktuale, institucionet duhet ta kthejnë vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe bashkëpunimit me palët që ndihmojnë në avancimin e vendit.
“Ne përballemi me probleme të shumta ekonomike, sociale dhe në proceset e brendshme. Fatkeqësisht, fokusi po zhvendoset nga tema thelbësore të ekzistencës, zhvillimit dhe përditshmërisë. Po shpenzohet shumë energji në çështje të kota. Ajo çka pres është mbyllja e këtij ligji dhe më pas të kthehemi te puna. Qeveria dhe përgjegjësit duhet t’i qasen zhvillimit ekonomik të vendit, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe bashkëpunimit me aktorët që kontribuojnë në ndërtimin e vendit tonë”, u shpreh Limaj.
Kosova ka shënuar rënie në ritmin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian gjatë vitit 2026, krahasuar me vitet paraprake. Sipas një analize të Institutit EPIK, bazuar në raportin e zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2026, Kosova ka shënuar progres të kufizuar në 67% të kapitujve të reformave. Kjo shënon një rënie të ndjeshme krahasuar me periudhën 2020–2025, ku në secilin vit progres i kufizuar ishte regjistruar në 93% deri në 96% të kapitujve. Raporti i Komisionit Evropian mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtatori 2026, gjatë së cilës Kosova është përballur me bllokadë institucionale, zgjedhje të përsëritura dhe funksionim të një qeverie në detyrë.
Limaj foli edhe për mënyrën e trajtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara (Specialen), duke e cilësuar procesin aktual si joserioz dhe duke u bërë thirrje deputetëve të marrin përgjegjësi për përmbylljen e tij. Ai theksoi se kjo çështje ka rëndësi të veçantë për proceset e ardhshme, prandaj, sipas tij, është thelbësore që Kuvendi të japë një epilog sa më shpejt. Ai shtoi se deputetët që e kanë iniciuar dhe mbështetur këtë ligj duhet të angazhohen për procedimin dhe përmbylljen e tij pa vonesa të mëtejshme.
“Çështja e këtij ligji është bërë tashmë shumë joserioze, po ashtu edhe qasja ndaj saj. Është një çështje me rëndësi të madhe; shpresoj dhe ftoj deputetët të jenë më të përgjegjshëm, ta mbyllin këtë dhe t’i japin një epilog ligjit sa më shpejt, pasi është shumë e rëndësishme për proceset që do të pasojnë”, përfundoi Limaj.
