Agjencia e Sigurisë Detare e Bashkimit Evropian (EMSA) paralajmëroi sot anijet që të shmangin hyrjen në ujërat territoriale të Jemenit. Ky paralajmërim vjen pasi Huthit, të mbështetur nga Irani, mund të rifillojnë sulmet kundër anijeve tregtare, veçanërisht në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, sipas raportimeve të BBC.

Ky paralajmërim nga agjencia e BE-së vjen pasi grupi rebel Huthi sulmoi dje Izraelin me raketa dhe u zotua për kryerjen e sulmeve të tjera.

Huthit, të cilët kanë ndikim në Jemenin veriperëndimor, deri më tani nuk kanë përdorur armën e tyre më të fuqishme: aftësinë për të ndërprerë trafikun përmes Bab al-Mandeb, një ngushticë detare strategjike që lidh Detin e Kuq me rrugët tregtare globale.

Operacioni ushtarak i BE-së, “EUNAVFOR ASPIDES”, theksoi se anijet tregtare me lidhje me Shtetet e Bashkuara ose Izraelin duhet t’i shmangin ujërat e Jemenit derisa kërcënimi të zbutet.

Raporti e vlerëson nivelin e kërcënimit si “të lartë” për anijet me lidhje izraelite.