Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, vlerësoi rolin e kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm të lirisë së Kosovës në momentet më të vështira historike, raporton Ekonomia Online
Ajo tha se Engel ishte një mbështetës i palëkundur i Kosovës, duke ngritur zërin në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në kohën kur vendi kishte më së shumti nevojë.
“Zërit të fuqishëm të lirisë sonë në momentet më të vështira të historisë së vendit tonë. Ku gjenocidi serb po sundonte vendin tonë, një dritë e një zyre rrinte gjithmonë ndezur në Uashington, në Kongresin Amerikan. Ishte drita e kongresmenit Eliot Engel. Ai nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Kosovën, ai s’kishte lindur as në Prishtinë, as në Pejë, as në Gjakovë, por zemra e tij rrihte në sinkron me dhimbjet e nënave tona, me nxënësit që mësonin shqip në shtëpi private, me ideatorët e shtetit të pavarur të Kosovës dhe ushtarët tanë çlirimtarë”, tha ajo.
“Në vitet më vendimtare të fatit të popullit tonë, kongresmeni Engel ishte një mbështetës i palëkundur, një zë i shquar, i vendosur në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Në kohë kur e vërteta për vendin tonë kishte nevojë të dëgjohej, Eliot Engel ishte ndër ata që e ngritën atë me guxim në zemër të politikës amerikane, duke i dhënë zë një populli që kërkonte të drejtën për të jetuar i lirë. Të nderuar kolegë, ai fliste për një popull të vogël në Ballkan që po shtypej. Ai kërkonte ndërhyrje ushtarake, ai kërkonte drejtësi për familjet e tëra që po përjetonin masakra në vend, trokitiste në çdo derë duke thënë se Kosova duhet të jetë e lirë. Për kongresmenin Engel, liria e Kosovës nuk ishte një çështje gjeopolitike, ishte një çështje morale, ishte lufta e tij personale mes të mirës dhe të keqes”, tha ajo.
