Mërgim Lushtaku: Pushteti e ka kthyer shkeljen e Kushtetutës në normalitet
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka akuzuar pushtetin aktual se e ka kthyer shkeljen e Kushtetutës në normalitet. Lushtaku kritikoi ashpër vonesat në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Lushtaku theksoi se brenda grupit parlamentar të PDK-së është diskutuar vazhdimisht mos-dërgimi i ftesës brenda 48 orëve për vazhdimin e seancës. Ai e cilësoi këtë si një shenjë arogance.
“Me padurim të madh dhe me shqetësim të thellë, kemi diskutuar në grupin tonë parlamentar mbi mos-dërgimin e ftesës brenda 48 orëve për thirrjen dhe diskutimin rreth konstituimit të Kuvendit. Me të vërtetë, kjo arogancë e pushtetit apo e mazhorancës është për keqardhje dhe sigurisht që nuk është mirë ajo që ka ndodhur. Shkelja e Kushtetutës u bë normalitet,” theksoi Lushtaku.
Ai shtoi se Kushtetuta është akti më i lartë juridik i shtetit dhe se qytetarët presin me padurim konstituimin e Kuvendit dhe vazhdimin e funksionimit institucional. “Për Kushtetutën e Kosovës, për vetë shtetin tonë, janë bërë shumë mund, sakrifica, djersë e gjak për të arritur këtë pavarësi, këtë demokraci dhe këtë shtet që kemi. Nuk është mirë të neglizhohet, nuk është mirë të bëhet normalitet,” tha ai.
Lushtaku shprehu keqardhjen për mungesën e kompromisit politik për konstituimin e Kuvendit. “Kjo është për keqardhje, sepse në fund të ditës çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, dëshiron konstituimin e Kuvendit dhe ecjen përpara. Por, për shkak të një arogance ku kompromisi shtetëror, i parashikuar edhe në Kushtetutat evropiane, shihet si pazar, dhe kur ata bëjnë pazare, mbyllin sytë dhe veshët, duke mbrojtur edhe shumë të akuzuar siç është rasti i Martin Berishajt. Më duket se udhëheqja aktuale e ka kthyer Kosovën në ‘republikë banane’,” deklaroi deputeti.
Deputeti i PDK-së kundërshtoi mundësinë e dërgimit sërish të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si absurditet. “Është absurditet dërgimi i çështjes edhe një herë në Gjykatën Kushtetuese, kur është dëshmuar vazhdimisht se në çdo rast ku e kemi dërguar, ata (pushteti) kanë rezultuar si shkelës të Kushtetutës. Kemi mbi 20 raste të verifikuara ku është shkelur Kushtetuta e Kosovës. A nuk është mjaft kjo? Besoj që është mjaft dhe besoj se nuk ka rrugë tjetër veç asaj institucionale,” përfundoi Lushtaku.
