**Mamografia lëvizëse në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë muajit tetor**

Gjatë Muajit Rozë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se mamografia lëvizëse do të jetë në dispozicion të qytetarëve në komuna të ndryshme të Kosovës, me qëllim mundësimin e kontrolleve të hershme për kancerin e gjirit.

Sipas njoftimit të Ministrisë, njësia lëvizëse e mamografisë do të shërbejë në zona të ndryshme, duke udhëtuar nga Dragashi në Leposaviq dhe nga Deçani në Kamenicë. Ky shërbim do të ofrohet përgjatë gjithë muajit tetor.

Ministria iu bën thirrje qytetarëve që të konsultojnë kalendarin e vizitave dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u kontrolluar në kohë.

“Kontrollohu, për veten, për jetën!”, është mesazhi kryesor i fushatës, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Muaji Rozë shënohet çdo tetor në mbarë botën si një periudhë ndërgjegjësimi për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.