Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, theksoi se jo vetëm Ukraina, por edhe Rusia po përballet me pasoja të rënda si pasojë e luftës së nisur nga Vladimir Putin.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Rutte deklaroi se Rusia po paguan një “çmim të madh” për konfliktin.
“Nuk janë vetëm ukrainasit që po vuajnë. E gjithë Rusia po paguan një çmim të madh për luftën e zgjedhur nga Putini”, theksoi Rutte.
Ai akuzoi presidentin rus se po dërgon dhjetëra mijëra të rinj rusë në front, duke theksuar se ata po humbin jetën pa arritur objektivat e vendosura nga Moska.
Sipas Rutte, Putini “po dështon në fushën e betejës” dhe nuk ka arritur të frikësojë Evropën.
Këto deklarata të kreut të NATO-s bëhen në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe aleatët perëndimorë intensifikojnë diskutimet për mbështetjen ushtarake dhe politike ndaj Kievit.
