**Arrestohet në Pejë, dyshohet për posedim të materialeve me shfrytëzim seksual fëmijësh**
Një burrë me inicialet A.B. është arrestuar në Pejë dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.
Prokuroria bëri të ditur se arrestimi i tij u realizua në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht me Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike, pas një pune hetimore intensive.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar pajisje elektronike, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Prokuroria theksoi se brenda afateve ligjore, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti.
Prokuroria Themelore në Pejë rikonfirmoi angazhimin e saj të palëkundur në luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit, veçanërisht ndaj veprave penale që cenojnë integritetin dhe sigurinë e fëmijëve.
