Tryezë diskutimi për gazin amerikan: Theksohet rëndësia për diversifikim energjetik dhe siguri kombëtare.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një tryezë diskutimi me titull: “Nga Debati për Politika te Hapat Praktikë: Qasja në LNG, Gatishmëria e Bizneseve dhe Siguria Energjetike e Kosovës”.
Në këtë tryezë, u nënvizua rëndësia thelbësore e gazit amerikan për Kosovën, duke theksuar se ai nuk duhet parë si zëvendësim i burimeve ekzistuese të energjisë, por si një mundësi shtesë për diversifikim, industrializim dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, deklaroi se çështja e gazit amerikan është rikthyer në debat pas disa vitesh, duke kujtuar zhvillimet e vitit 2021. Ai theksoi se atëherë Qeveria e Kosovës kishte dhënë përgjigje negative lidhur me programin për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm (LNG). “Në shtator të vitit 2021, mediat raportonin për një përgjigje përfundimtare ku qeveria kosovare i kishte bërë me dije asaj amerikane se nuk kishte interes për të vazhduar me programin,” tha Zeka. “Arsyetimet shkonin deri aty sa thuhej se nuk bëhej fjalë për gaz amerikan. Sot, përsëri përgjigja është negative, por me arsyetime të tjera. Qeveria kësaj radhe ka zgjedhur alternativa që vlerësohen si më pak të kushtueshme dhe më të fizibël për qytetarët e vendit. Po konsiderohet thuajse luks të jemi në gjendje të sjellim përfaqësuesit e institucioneve shtetërore në tryeza të tilla për të debatuar me ta,” shtoi Zeka.
Nga ana e saj, Laura Kryeziu, eksperte e energjisë, vlerësoi se diskutimet për gazin amerikan janë të vonshme, pasi kjo çështje, sipas saj, do të duhej të ishte trajtuar pesë vite më parë. “Mendoj se këto diskutime janë të vonshme, por falënderoj Odën Amerikane që i organizoi, pasi do të duhej t’i trajtonim pesë vite më parë. Kemi humbur shanse për projekte zhvillimore si ‘Kosova e Re’ dhe së fundmi edhe projektin e gazifikimit,” u shpreh Kryeziu. Ajo tregoi se ka qenë koordinatore nacionale e zhvillimit të projektit të gazit në bashkëpunim me MCC-në, nga viti 2019 deri në 2021. Ky projekt, i nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshinte edhe dy komponentë të tjerë: sistemin e ruajtjes me bateri (Battery Storage), të cilin e kemi tani, si dhe ndihmën në sistemin e transmetimit dhe zhvillimin e kapaciteteve. Kryeziu theksoi se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme në ndonjë sektor të ri energjetik, duke pasur parasysh se rreth 95% e gjenerimit bazohet në linjit. “Projekti i gazit kishte për qëllim kryesor diversifikimin, pasi si shtet, ne nuk e dimë saktësisht rrugëtimin tonë të dekarbonizimit. Mendojmë të kalojmë menjëherë nga 95% në energji të ripërtëritshme, por praktika e këtyre pesë-gjashtë viteve ka treguar se është pothuajse e pamundur. Shtetet e tjera rreth nesh e kanë realizuar gazifikimin përmes energjisë fleksibile, siç është gazi,” shpjegoi Kryeziu. Ajo shtoi se projekti i gazit është zhvilluar për dy vjet me një ekip prej tetë ekspertësh vendorë, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar me Qeverinë e Kosovës dhe me një fond të ndarë nga MCC-ja.
Learta Hollaj, eksperte e zhvillimit të qëndrueshëm, theksoi se projekti i gazit amerikan ka rëndësi të barabartë me sigurinë nacionale. “Do të nisem nga premisa e besimit, e cila na ka shërbyer gjatë kohës sime në Presidencë dhe në Kuvend. Besimi është një shtyllë dhe përbërës kyç për ndërtimin e raporteve bilaterale dhe multilaterale,” tha Hollaj. “Në këtë pikë, them se përgjigja jonë ndaj çështjes së energjisë është reflektim i besimit që kemi te aleati ynë më strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo temë është trajtuar sot me të drejtë nga pjesëmarrësit e kësaj tryeze, duke e parë energjinë si të barabartë me sigurinë nacionale, por njëkohësisht si një parametër me rëndësi të madhe për pozicionimin tonë gjeopolitik. T’i thuash ‘po’ energjisë në këtë moment, në fakt, është një sigurim i mëtejshëm i ankorimit tonë në NATO, dhe mund të shkojë deri aty sa të them se është ndërtim i një shtylle tjetër të sigurisë, po aq sa edhe prania e KFOR-it në Kosovë,” përfundoi Hollaj.
Dardan Sejdiu, ekspert i ekonomisë, theksoi se gazi është një urë drejt një të ardhmeje që kërkon infrastrukturë për të mundësuar industrializimin dhe zhvillimin e vendit. “Ndonëse një pjesë e madhe e diskutimit u trajtua, unë do të përpiqem të flas në një drejtim tjetër. Learta dhe Laura shpjeguan logjikën dhe arsyeshmërinë, por ajo që tha Learta shërben si pikënisje për diskutimin tim: gazi është urë, jo destinacion final,” tha Sejdiu. Ai shtoi se gazi është një urë për një të ardhme që kërkon infrastrukturë e cila mundëson industrializimin dhe zhvillimin e vendit. “Të mos harrojmë se Kosova është pa ambicie për sa i përket industrisë dhe zhvillimit ekonomik. Ambiciet tona, fatkeqësisht, janë reduktuar në thjesht kalimin e vitit. Ambiciet tona ekonomike zhvillimore janë kufizuar në shpenzime buxhetore, ndërsa sektori privat dhe mendimi zhvillimor janë tërësisht të tkurrura në diskutime, besoj unë, mjaft problematike,” theksoi Sejdiu. Sipas tij, kur flitet për gazin, çështja e parë që duhet trajtuar është interkoneksioni, pra infrastruktura. “Më pas, mënyra se si e zhvillojmë atë infrastrukturë varet edhe nga ambicia dhe ideja zhvillimore që kemi. Në çdo industri ku eksportojmë, ne ballafaqohemi me një problem tjetër: çdo ditë e më shumë Bashkimi Evropian po organizon tregun e vet rreth parametrave të agjendës së gjelbër. E dyta dhe për mua tepër e rëndësishme është mungesa e ambicies. Fatmirësisht, ende besoj se optimizmi është një aset strategjik, edhe pse fatkeqësisht në këtë vend e di që optimizmi nuk është një term i dashur apo i duhur,” përfundoi Sejdiu.
