Haxhiu takon Drejtoreshën e KE-së, diskutohen reformat evropiane

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Valentina Supertin, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian. Ky takim shënon vizitën e parë të Supertit në Kosovë.

Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e vendit. Ajo theksoi se Kosova e ka shfrytëzuar këtë mbështetje për të forcuar institucionet demokratike, për të thelluar reformat dhe për të konsoliduar një orientim të qartë evropian, i cili gëzon një mbështetje shumë të lartë qytetare.

Ajo nënvizoi se Kosova ka ndjekur një kurs të qartë sa i përket reformave evropiane, duke u harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Gjithashtu, shtoi se vendi po zbaton me seriozitet detyrimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.

Haxhiu kërkoi që progresi i Kosovës të vlerësohet me një përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian, përmes dhënies së statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Presidentja në detyrë theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal. Ajo theksoi se Kosova duhet të gëzojë mundësi të barabarta për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët.