Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka dhënë kontratë mbi 4 milionë euro, për furnizim me 12 lloje barnash.
IndeksOnline raporton se vlera e paraparë e tenderit ishte 5.5 milionë euro, i ndarë në 14 lote, secili veç e veç me lloje të ndryshme medikamentesh.
Përveç medikamentit “cisplatin” dhe “piperacillin + tazobactan +”, SHSKUK-ja ka siguruar një mori barnash të tjera.
Në dosjen e siguruar figurojnë çmimet e parashikuara për dhënie të kontratës, sakaq asnjë nga medikamentet nuk është dhënë me vlerë më të madhe sesa ajo e parapara.
Loti më çmimin më të lartë është ai i 13-ti.
Për 12 mijë e 366 copë erythropoiesis stimulating agents është dhënë tenderi prej 1 milion e 707 mijë e 744 euro e 60 centë.
Kompania e shpërblyer me këtë kontratë është “MEDITECH”.
Medikamenti në fjalë shfrytëzohet për të trajtuar aneminë e rëndë dhe stimuluar palcën e kockave.
Loti 2 siguroi 2934 copë “coagulation factor IX”, në vlerë prej 469 mijë e 440, për të trajtuar dhe parandaluar gjakderdhjen te personat me hemofili B. Kompania “Agani L.T.D SH.P.K.” u shpall fituese e lotit të këtij tenderi.
Në lotin 3 u ndanë 704 mijë e 904 euro për “etanercept”. 20432 copë të këtij medikamenti i kushtuan SHSKUK-së afro 705 mijë euro, teksa kompania fituese u shpall “Santefarm”.
Për lotin 4 u ndanë 187 mijë e 795 euro, për 1633 copë “trastuzumab”. Medikamenti, i shfrtyëzuar për trajtimin e kancerit, u sigurua nga grupi i operatorëve ekonomikë “GENE MEDICALS SH.P.K. dhe EDNAFARMA”.
Loti 5 siguroi furnizimin me midazolam, medikament i përdorur për sedacion. 39 mijë e 973 euro e 26 centë iu dhanë kompanisë “MEDI MAX”, për 128 mijë e 946 copë të këtij medikamenti.
SHSKUK-ja u furnizua edhe me 35 mijë copë “nilotinib”, që shfrytëzohet për trajtimin e leukemisë. Furnizimi me këtë medikament kushtoi 455 mijë e 700 euro, sakaq kontrata iu dha kompanisë “DELTAPHARMA-KS SH.P.K”.
IndeksOnline raporton po ashtu furnizimin me “sunitinib”, ku për 4666 copë të këtij medikamenti janë ndarë 27 mijë e 529 euro e 40 centë.
Për trajtimin e kancerit të mëlçisë, SHSKUK-ja ka siguruar 40833 copë “sorafenib”. Furnizimi me këtë lloj barnash ka kushtuar 109 mijë e 24 euro e 11 centë, sakaq kompania e shpërblyer me këtë tender është “Santefarm”.
Kompania “Liri-Med” ka fituar tenderin për furnizim me “gemcitabine”, ku për 9858 copë të këtij medikamenti janë ndarë 335 mijë e 172 euro.
Për 37800 copë “imatinib”, SHSKUK-ja ka dhënë 60 mijë e 102 euro, në tenderin me çmimin më të ulët të përgjegjshëm. Ky medikament do të shfrytëzohet për trajtim të llojeve të ndryshme të kancerit.
Ndërkaq, për furnizim me “temozolamide” janë ndarë 39 mijë e 132 euro e 67 centë.
6533 copë të këtij medikamenti, të siguruar nga “MEDI MAX SH.P.K.” do të jenë në dispozicion për pacientët që iu nevojitet trajtimi i tumoreve malinje të trurit.
Për 840 copë “pemetrexed”, SHSKUK-ja dha 121 mijë e 800 euro.
Tenderin për furnizim me këtë medikament e fitoi kompania “Liri-Med”, sakaq medikamenti do të shfrytëzohet për trajtimin e kancerit të mushkërive.
Të gjitha këto barna i përkasin listës esenciale.
Furnizimi, rëndom si herat e tjera, do të bëhet për barnatoren qendrore të QKUK-së dhe SHSKUK-së.
Kontratat janë paraparë të përmbushën në afat prej 24 muajsh.
Ndërkaq, për dy medikamentet për të cilat nuk është dhënë ende një kontratë, ende nuk dihet nëse SHSKUK-ja do të ritenderojë kontratën.
IndeksOnline ju sjell më poshtë detaje nga kontrata e përgjithshme në vlerë prej 4 milionë e 258 mijë e 317 euro e 4 centë.
