Zafir Berisha: Për katër ish-krerët e UÇK-së jam i gatshëm të hyj sërish në luftë

Ish-deputeti i Kosovës, Zafir Berisha, ka deklaruar se është i gatshëm të rikthehet në luftë për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët ndodhen në Hagë. Komentet e tij vijnë pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Ai theksoi se pas këtij vendimi, është vetë shteti i Kosovës ai që vihet në pikëpyetje.

Berisha u shpreh me tone të forta: “Unë i kam ata shumë shokë, dhe për ta jam në gjendje të hyj edhe njëherë në luftë, madje edhe në zjarr.” Ai shtoi me theks: “Në pikëpyetje është Kosova!”

Duke iu referuar pyetjes për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ish-deputeti kritikoi ashpër gjendjen e partisë. “Me keqardhje duhet të them, për aq sa më lejohet të flas, dhe të tjerët që e dinë më mirë se unë dhe kanë përgjegjësi më të madhe duhet të vazhdojnë ta thonë edhe më fuqishëm, se PDK-ja është në duart e njerëzve të preferuar, të cilët kanë ardhur në krye të saj nën ndikimin e ambasadave, madje edhe në kohën kur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin ende këtu,” tha Berisha.