**Më shumë perime për një humor më të mirë dhe reduktimin e stresit**
Stresi mund të shkaktojë lodhje, luhatje humori dhe të zvogëlojë oreksin për ushqime të shëndetshme. Gjatë periudhave të stresit, niveli i magnezit dhe Vitaminës C në organizëm tenton të ulet. Fatmirësisht, shumë perime përmbajnë këta ushqyes thelbësorë, si dhe acide yndyrore Omega-3 që reduktojnë tensionin, dhe vitamina B që luftojnë ankthin dhe depresionin, sipas një raporti të Klan Kosovës.
Hulumtimet e fundit të studiuesve tregojnë se kaliumi dhe magnezi, të pranishëm në perime, mund të kontribuojnë në qetësimin e brendshëm. Kjo ndodh pasi këta dy përbërës lehtësojnë qarkullimin në enët e gjakut dhe ulin presionin arterial.
Gjithashtu, perimet e pasura me fibra ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak, duke parandaluar rëniet e papritura të energjisë, të cilat shpesh lidhen me luhatje të gjendjes shpirtërore.
Për të lehtësuar stresin, rekomandohet konsumimi i një shumëllojshmërie perimesh, si: kërpudhat, zarzavatet me gjethe (spinaqi, kopra), kungujt, patatet, specat dhe fasulet.
Një mënyrë praktike për të rritur konsumin e perimeve është duke i përfshirë ato në çdo vakt. Për shembull, shtoni zarzavate të gjelbra, kërpudha dhe speca në sandviçe; perime të tjera në supa; ose salcë domatesh në pica dhe omëleta.
