Mediat spanjolle kanë shpalosur detaje të reja rreth vendimit të trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, për të mos ia besuar Frenkie de Jongut shiritin e kapitenit të parë.
Trajneri gjerman është shprehur i pakënaqur me mënyrën sesi mesfushori holandez e menaxhoi dëmtimin e tij. Pavarësisht kësaj, Flick vazhdon ta konsiderojë De Jongun si një prej lojtarëve thelbësorë të ekipit.
Radioja spanjolle “Cadena SER” raporton se Flick ka zgjedhur brazilianin Raphinha si kapiten të parë, ndërsa Pedri është caktuar zëvendëskapiten. Pjesën tjetër të grupit të kapitenëve e kanë plotësuar vetë lojtarët e Barcelonës, duke zgjedhur Eric Garcian, Frenkie de Jongun dhe Lamine Yamal.
Ky sistem i ri ndryshon nga e kaluara, ku kapitenët zgjidheshin nga vetë lojtarët me konsensus.
Zgjedhja e Raphinhas dhe Pedrit nga Flick lidhet me vizionin e tij mbi personalitetin e një kapiteni në fushë. Trajneri e sheh brazilianin si një zgjatim të tij, një kapiten të aftë për të ndikuar te skuadra si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë moral. Pedri, gjithashtu, gëzon besimin e plotë të trajnerit.
Kjo ishte arsyeja kryesore pse De Jong u la jashtë zgjedhjes për shiritin e parë, pavarësisht përvojës dhe statusit të tij si një prej lojtarëve më me eksperiencë në skuadër.
Një tjetër arsye që forcoi rezervat e Flick ndaj holandezit ishte mënyra sesi ai menaxhoi dëmtimin që pësoi. Barcelona njoftoi në korrik se De Jong kishte pësuar një dëmtim të ligamentit kolateral medial të gjurit të djathtë. Klubi kishte zgjedhur një trajtim konservativ, nën monitorim mjekësor, në vend të një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas “Cadena SER”, kundërshtimi i Flick nuk lidhej me refuzimin e De Jongut për t’iu nënshtruar operacionit. Në të vërtetë, shqetësimi i tij ishte mënyra sesi lojtari e menaxhoi dëmtimin dhe procesin e rikthimit në fushë. Trajneri dëshironte një lojtar më të gatshëm dhe më të përgatitur për të luajtur në shumicën e ndeshjeve.
Megjithatë, ky vendim nuk nënkupton se Flick e ka përjashtuar De Jongun nga planet e tij. Gjermani vazhdon ta konsiderojë atë një lojtar thelbësor në sistemin e tij. Thjesht, Flick preferon t’ua besojë shiritin e kapitenit lojtarëve që i sheh si të aftë për të ushtruar një ndikim të vazhdueshëm dhe udhëheqës në fushë, arsyeja pse favorizoi Raphinhën dhe Pedrin.
