Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ndaj ankesës së deputetit të pushtetit, Fatos Geci, në polici kundër tij, duke kritikuar ashpër mënyrën e veprimit të Gecit pas zhvillimeve të fundit.

Mehmetaj thekson se ankesa në polici nga ana e deputetit ka ardhur vetëm pasi çështja mori përmasa të gjera publike. Sipas gazetarit, nëse Geci do të kishte synuar vërtet zgjidhjen e çështjes përmes kanaleve institucionale, ai do t’i kishte ndaluar edhe anëtarët e familjes së tij që të shkonin paraprakisht në zyrën e gazetarit.

Këtë veprim, Mehmetaj e cilëson si dëshmi se deputeti nuk respekton institucionet shtetërore, pavarësisht se partia e tij është në qeveri.

Gazetari thekson se askush nuk mund të dërgohet në polici për shkak të opinioneve të shprehura, duke iu referuar standardeve të vendeve demokratike. “Në shtete demokratike, askush nuk mund të dërgohet në polici për opinione. Ashtu si askush nuk mund ta dërgojë Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai,” ka shkruar Mehmetaj.

Ai ka shtuar se, nëse deputeti konsideron se në postimin e tij ka elemente të shpifjes apo fyerjes, duhet t’i drejtohet gjykatës përmes një padie, ku të dy palët do të mund të ballafaqoheshin me pretendimet e tyre.

“Koha kur njerëzit dërgoheshin në burg për opinione ka marrë fund dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë kthimin e saj,” ka përfunduar reagimin e tij Mehmetaj.