Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës së studentëve dhe përplasjet e regjistruara me forcat e Policisë së Shtetit.
Nëpërmjet një deklarate zyrtare, delegacioni bëri të ditur se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të forcës së tepruar nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Për këtë arsye, BE-ja i ka bërë thirrje autoriteteve që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe në respekt të plotë të të drejtave themelore. Gjithashtu, kërkohet që rastet e raportuara të dhunës të hetohen me përparësi.
Në deklaratën e saj, Delegacioni theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
BE-ja inkurajoi të gjitha palët e përfshira të ulin tensionet dhe nënvizoi se dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve është e vetmja rrugë përpara.
