Komandanti i ri i KFOR-it: Optimizimi nuk nënkupton tërheqje nga Kosova
**Prishtinë** – Komandanti i ri i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka theksuar se procesi i optimizimit të misionit nuk nënkupton tërheqje nga Kosova, por rikonfirmim të përkushtimit për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Në konferencën e parë për media pas marrjes së detyrës, gjeneralmajori Vergori sqaroi se ky optimizim nuk zvogëlon aspak përkushtimin e KFOR-it për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ai theksoi se misioni do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa prania dhe veprimtaria do të përshtaten sipas vlerësimit të situatës së sigurisë në terren.
“Ky proces nuk nënkupton tërheqje nga misioni dhe në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon përkushtimin e KFOR-it për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve dhe për të punuar në të mirë të tyre, gjithmonë dhe pa dallim, çdo ditë,” tha Vergori. Ai shtoi se KFOR-i do të veprojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), duke respektuar rolet përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.
Gjatë mandatit të tij, Vergori premtoi se KFOR-i do të veprojë me vendosmëri, disiplinë dhe paanshmëri, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve të sigurisë që mbështesin përpjekjet diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Misioni ynë nuk ka ndryshuar, ashtu siç nuk ka ndryshuar as përkushtimi ynë ndaj komuniteteve në Kosovë. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar për përmbushjen e mandatit të KFOR-it… duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë,” theksoi komandanti i ri.
Ai e përmbylli fjalën e tij duke theksuar synimin kryesor të misionit: “të krijojmë kushtet e duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të përfitojnë plotësisht nga paqja e qëndrueshme, demokracia dhe prosperiteti.”
Në të njëjtën konferencë, admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), rikonfirmoi se fokusi i KFOR-it mbetet siguria dhe mbrojtja e të gjithë banorëve të Kosovës. Ai shpjegoi se siguria praktike për qytetarët nënkupton aftësinë për të lëvizur lirshëm drejt punës, shkollës, për të vizituar familjen dhe për të pasur qasje në objektet e kultit, kushte të cilat KFOR-i ndihmon t’i krijojë.
Wikoff nënvizoi rëndësinë e patrullimeve të rregullta dhe komunikimit me komunitetet lokale për të kuptuar shqetësimet e tyre. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke u bërë thirrje palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me vullnet të mirë.
Admirali Wikoff përmbylli duke shprehur pritshmëritë e tij nga gjeneralmajor Vergori: ruajtja e gatishmërisë, angazhimi me të gjitha komunitetet dhe vazhdimi i misionit me profesionalizmin dhe paanshmërinë e paraardhësve të tij.
