Mërgimtarët kërkojnë kompromis politik: Kërkohet funksionalizimi i shpejtë i institucioneve

Mërgimtarët që ndodhen në Kosovë gjatë sezonit të verës vizituan sot Kuvendin e Kosovës, ku shprehën shqetësimin e tyre për situatën aktuale politike dhe vonesat në konstituimin e institucioneve.

Ata bënë thirrje për tejkalimin e krizës politike dhe gjetjen e një kompromisi sa më shpejt, në mënyrë që vendi të rikthehet në funksionalitet të plotë dhe të vazhdojë përpara.

Jusuf Stublla, i cili jeton në Gjermani, theksoi se e përcjell me shqetësim situatën politike në Kosovë dhe kërkoi që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt.

“Neve, mërgimtarëve, na dhemb ky ngecje. Jemi thellësisht të shqetësuar që Kuvendi nuk është konstituuar. Dëshirojmë që kjo të ndodhë sa më parë, pasi Kosova po ngec dita-ditës. Koha nuk pret. Qytetarët kanë votuar tashmë në zgjedhje dhe është e domosdoshme që institucionet të konstituohen menjëherë. Qytetarët nuk duhet të ushqejnë urrejtje mes tyre, por të tregojnë mirëkuptim. Kjo mungon aktualisht. Partitë shqiptare, në këtë mënyrë, po dëshmojnë një cilësi të dobët, pasi çdo parti duket se ka qëndrime të ndryshme. Pse ekzistojnë këto dallime? Duhet të arrihet një konsensus. Albini është zgjedhur nga populli, nuk e kuptojmë pse ka pengesa. Megjithatë, jemi optimistë se do të arrihet qëllimi sa më shpejt,” tha ai.

Më kritik ishte Azem Lushtaku, i cili jeton në Zvicër. Ai u shpreh i zhgënjyer me përfaqësuesit politikë dhe deklaroi se nuk sheh më arsye për t’i votuar ata.

“Situata nuk është aspak e mirë. Të gjithë këta përfaqësues të partive shqiptare duhen larguar. Këta që janë aktualisht, nuk sjellin asnjë fryt. Kush do të arrijë marrëveshje, dhe me kë? Për mua, asnjë prej tyre nuk meriton të jetë deputet. Kam votuar, por nuk do të votoj më për askënd, pasi nuk shoh për kë të votoj. Këta mendojnë vetëm për interesat e veta, pa u kujdesur aspak për popullin. Kjo qeveri që erdhi në pushtet po shkatërron Kosovën. Nuk e kuptoj pse populli nuk proteston për të larguar këtë qeveri të poshtër dhe përçarëse,” u shpreh ai.

Ndërkaq, Shefki Gashi nga Gjermania kërkoi që palët politike të gjejnë një kompromis, në mënyrë që institucionet të funksionalizohen sa më shpejt, duke theksuar se dëshira e tij është që Kosova të zhvillohet më tej.

“Lidhur me çështjen politike, nuk kemi shumë çfarë të shtojmë apo të japim mendime shtesë. Megjithatë, kërkojmë që sa më shpejt të krijohen institucionet e shtetit, në mënyrë që puna të ecë mbarë e mirë për Kosovën. Do të kërkoja një unitet të përgjithshëm dhe një rrugë të suksesshme zhvillimi për Kosovën. Nuk duhet të humbet kohë; është e domosdoshme të arrihet sa më parë një kompromis dhe një marrëveshje e përbashkët, për të gjetur rrugën përpara. Dëshira ime e madhe është që Kosova sa më shpejt të krijojë institucionet e saj dhe të ecë përpara,” tha ai.

Sot është dita e dytë e vizitave të mërgimtarëve në Kuvend, të cilat organizohen në kuadër të aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”. Ky aktivitet ka filluar të hënën, më 10 gusht, dhe do të zgjasë deri të mërkurën, më 12 gusht. Vizitat zhvillohen çdo ditë nga ora 12:00 deri në 16:00.