Aktorja turke İrem Helvacıoğlu, e cila vitin e kaluar u bë nënë e vajzës Sora dhe më 17 prill finalizoi divorcin nga sipërmarrësi Ural Kaspar në një seancë të vetme gjyqësore, ka folur për herë të parë pas ndarjes. Në një intervistë për programin e koleges së saj, Ege Kökenli, Helvacıoğlu rrëfeu për sfidat e mëmësisë, përvojën e divorcit dhe vështirësitë shëndetësore të kaluara së fundmi, duke theksuar se “mësova të dua veten”.
Aktorja pranoi se ardhja në jetë e vajzës i ka ndryshuar plotësisht prioritetet. Ajo theksoi se, ndonëse e shijon çdo çast me të bijën, koha për veten është reduktuar ndjeshëm, duke shpjeguar kështu pse nuk është ende gati të rikthehet me kohë të plotë në televizion:
“Çdo moment me vajzën është i çmuar; ajo më shikon në sy dhe unë jam e gjithë bota e saj për momentin.”
Gjatë bisedës, İrem ndau gjithashtu një deklaratë të fuqishme lidhur me vizionin e saj për botën, duke theksuar se fokusi i saj i vetëm është mbrojtja e vajzës. Ajo u shpreh se përpiqet t’i qëndrojë larg çdo lajmi apo energjie negative që mund t’i transmetojë foshnjës gjatë ushqyerjes me gji, duke preferuar madje të mbetet “e paditur” ndaj ngjarjeve botërore.
Lidhur me divorcin, Helvacıoğlu pohoi se mori vendimin e duhur në kohën e përshtatshme dhe e menaxhoi procesin me pjekuri, megjithëse për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme nuk arriti ta përjetonte dhimbjen siç duhej:
“Kur ime më më thoshte ‘Irem, eja me vajzën se po qan’, unë qaja me dënesë dhe i thoja që nuk doja ta merrja në krahë e ta ushqeva me atë gjendje emocionale.”
Përvojat jetësore i kanë ofruar aktores mësime të rëndësishme, përmes të cilave ajo mësoi vetëdashurinë dhe vlerën e vetvetes:
“I mirëpres të gjitha ato që kam kaluar. Mësova të dua veten dhe të kuptoj se kisha prishur balancën e ‘marrjes dhe dhënies’ në jetë. Jeta ia merr gjithmonë atij që jep më shumë se ç’duhet.”
Në fund, sa i përket mundësisë për një lidhje të re, Helvacıoğlu sqaroi se nuk i ka mbyllur dyert dashurisë, por tani prioriteti i saj kryesor mbetet vajza:
“Nuk jam e mbyllur ndaj lidhjeve, por kjo kërkon kohë. Tani kam një foshnjë nën përgjegjësinë time dhe çdo person që do të hyjë në jetën tonë duhet të kalojë përmes një filtri shumë të rreptë.”
Gjatë procesit të divorcit, Helvacıoğlu dhe ish-bashkëshorti i saj, Ural Kaspar, mësohet se kanë arritur një marrëveshje: ajo ka hequr dorë nga dëmshpërblimi financiar, me kushtin që vajza të mbajë vetëm mbiemrin e aktores.
