Artistja Rinesa Qeriqi humbi jetën të shtunën, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Lajmi i hidhur u pasua nga një valë reagimesh dhe ngushëllimesh, ndër të cilat spikati shkrimi emocionues i koleges së saj, Tayna, e cila ndau një kujtim të veçantë lidhur me Rinesën.
Për vdekjen e saj pati reagime të shumta dhe të thella, duke filluar nga Ministria e Kulturës e deri te shumë kolegë dhe figura publike.
Tayna, gjithashtu, ishte ndër artistet që reaguan publikisht, duke ndarë një moment prekës kur Rinesa i kishte dërguar disa këngë nga albumi i saj i ardhshëm.
“Ajo më kishte dërguar disa këngë të albumit të saj, që unë të zgjidhja, dhe e mbaj mend sa shumë u mahnita. Gjatë gjithë ditës kam kërcyer me ato këngë dhe e kam falënderuar që ma kishte bërë ditën më të mirë,” shkroi Tayna, ndër të tjera.
Tayna e përmbylli shkrimin e saj duke theksuar se “ajo ishte një botë më vete.”
